Si lexohet madhësia e gomës

Në anën e çdo gome është e shkruar madhësia e saj, për shembull 205/55 R16 91H. Ja çka do të thotë secila pjesë:

  • 205 – gjerësia e gomës në milimetra.
  • 55 – lartësia e anës së gomës (profili), si përqindje e gjerësisë: 55% e 205 mm ≈ 113 mm.
  • R – goma është radiale (pothuajse të gjitha gomat sot).
  • 16 – diametri i felgës në inç.
  • 91 – indeksi i ngarkesës: sa kilogramë mban një gomë (91 = 615 kg).
  • H – indeksi i shpejtësisë: shpejtësia maksimale e lejuar (H = 210 km/h, V = 240 km/h, T = 190 km/h).

Shenja të tjera që vlen t’i njihni

  • C pas inçit (p.sh. R16C) – gomë komerciale për furgona dhe kamionetë, me strukturë më të fortë.
  • XL ose Reinforced – gomë e përforcuar që mban më shumë peshë se versioni standard i së njëjtës madhësi.
  • M+S – gomë për baltë dhe borë.
  • Simboli i malit me flokë bore (3PMSF) – goma është testuar dhe certifikuar për kushte dimërore.
  • DOT me katër shifra në fund (p.sh. 2324) – java dhe viti i prodhimit: java 23 e vitit 2024.

Ku ta gjeni madhësinë e duhur për veturën tuaj

Madhësinë e gomave aktuale e lexoni në anën e gomës. Madhësitë e lejuara për veturën janë edhe në librezën e veturës dhe zakonisht në një ngjitëse në kornizën e derës së shoferit ose në kapakun e rezervuarit. Kur ndërroni gomat, mbani të njëjtën madhësi dhe indekse të ngarkesës e shpejtësisë të njëjta ose më të larta.

Në Blejgoma.com zgjidhni gjerësinë, lartësinë dhe inçin te “Goma sipas madhësisë” dhe shihni menjëherë gomat që i kemi në stok.